Wednesday, June 21, 2017

Nirvana - Vladislav Petkoviç Dis


Mbrëmë më erdhën të vdekurit,
Varret e reja dhe shekujt e vjetër;
M'u afruan si të isha viktima,
Si kalueshmëri ngjyre e sendeve.

Mbrëmë më erdhën detrat,
Të gjithë tharë, pa valë dhe shkumbë,
Erë e vdekur frynte nga bjeshka,
Përpiqej gjthësinë ta lëvizte.

Mbrëmë më erdhi fati
Shpirtvdekur, dhe ëndërr e lules së vdekur,
Mbrëmë ishte të tëra pranverat e vdekura:
Dhe aromë e të vdekurve kudo sillej.

Mbrëmë dashuria erdhi te unë,
Dashuri e vdekur e të gjitha kohëve,
Të dashuruarit, përqafuar me vdekjen
Nën puthjet e kujtimeve të vdekura.

Dhe çdo gjë që ishte dikur,
Hija e tyre, çdo gjë që kishin,
Çdo gjë kurrë më nuk lajmërohet,
Kurrë më - erdhën te unë.

Aty ishin rëtë e vdekura,
Kohë e vdekur me historinë e ditës,
Aty ishin rrezet e vrara:
Gjithë bredhjet i shtypte nirvana.

Edhe nirvanë kishte atëherë
Shikimin  që s'e ka syri i njeriut:
Pa re, pa gëzim, pa vuajtje,
Shikim i vdekur dhe thellë i zbrazët.

Dhe ai shikim, si të ishte një gur,
Ra në mua dhe në ëndrra,
Në ardhmërinë, në hapësirën e largët,
Mbi idetë, dhe mbi gjithë mendimet e reja.

Mbrëmë më erdhën të vdekurit,
Varret e reja dhe shekujt e vjetër;
M'u afruan si të isha viktima,
Si kalueshmëri ngjyre e sendeve.

1911
Përktheu: Emin Kabashi


No comments:

Post a Comment