Thursday, August 11, 2011

Do të vdes nga një kancer në shtyllën kurrizore - Boris Vian

Do të vdes nga një kancer në shtyllën kurrizore
Kjo do të ndodhë një mbrëmje të lemerishme
Të kthjellët, të ngrohtë, të parfumuar, epshore
Do të vdes nga kalbëzimi
I disa qelizave pak të njohura
Do të vdes nga një këmbë që do të ma këputë
Një mi vigan i dalë nga një vrimë vigane
Do të vdes nga njëqind të prera
Qielli do të ketë rënë mbi mua
I thyer si një xham i rëndë
Do të vdes nga një buçimë zërash
Që do të m'i shpojë veshët
Do të vdes nga plagë të shurdhra
Shkaktuar në orën dy të mëngjesit
Nga vrasës të pavendosur e të shogët
Do të vdes pa e vënë re
Se po vdes, do të vdes
Varrosur në rrënjët e thata
Prej një mijë metra dengje pambuku të rrëzuara
Do të vdes i mbytur në vajin e zbrazur nga makinat
I shkelur me këmbë nga kafshë mospërfillëse
Dhe, fill pas kësaj, nga kafshë të ndryshme
Do të vdes lakuriq a i veshur me pëlhurë të kuqe
A i qepur në një thes me brisqe rroje
Ndoshta do të vdes pa i lyer
Me vernik thonjtë e gishtave të këmbës
Duke më rënë lotët rrëke
Duke më rënë lotët rrëke
Do të vdes kur të m'i shkolisin
Qepallat nën një qiell të xhindosur
Kur të më thonë ngadalë
Fjalë të liga në vesh
Do të vdes tek shoh si torturojnë fëmijë
dhe njerëz të habitur e fytyrëzbehtë
Do të vdes i brejtur për së gjalli
Nga krimbat, do të vdes me
Duar të lidhur nën një ujëvarë
Do të vdes i djegur në një zjarr të pikëlluar
Do të vdes pak, shumë.
Pa pasion, por me interes
Dhe pastaj kur gjithçka të ketë marrë fund
Do të vdes.

No comments:

Post a Comment